Spider of the year 2015 – AL

Merimanga Europiane e Vitit 2015

Merimanga gumëzhuese – Anyphaena accentuata (Walckenaer 1802)

Anyphaena accentuata (Walckenaer, 1802) i përket familjes së merimangave fantazmë ose gypore (Anyphaenidae). Kjo familje e merimangave ka pak më shumë se 500 lloje në të gjithë botën, tetë prej të cilave gjenden në rajonin e Mesdheut, gjashtë në Europë dhe dy në Europën qendrore. Merimangat fantazmë janë të ngjashme me merimangat thes, por ndryshojnë nga këto të fundit nga pozicioni i hapjes trakeale, e cila tek merimangat fantazmë shtrihet në mes të pjesës së poshtme të abdomenit.

Merimanga gumëzhuese është e zakonshme kudo në Europë. Ajo preferon kërcejtë dhe kurorat e drurëve gjetherënës, por gjithashtu ndodhet edhe tek shkurret dhe halorët. Anyphaena accentuata është një lloj i ultësirave, shpërndarja vertikale e së cilës zakonisht është nën 1000 metra mbi nivelin e detit. Rekordet më të larta kanë qenë nga Carinthia (Austri) dhe Untergadin (Zvicër) pak më shumë se 1100 metra. Gjatë ditës këto merimanga e fshehin vetveten në një strehë të përbërë nga gjethe të qepura së bashku. Ciftëzimi dhe shtrimi i vezëve bëhet po këtu. Ato janë grabitqarë të natës dhe gjuajnë insekte të vogla fluturuese. Gjatë dimrit ju mund të gjeni shpesh merimangën Anyphaena accentuata nën lëvoren e pemëve të vdekura. Ky lloj gjithashtu është duke u bërë shumë i zakonshëm në habitatet humane, dhe ato shpesh mund te shihen në muret e shtëpive duke bërë patrullën e natës. Meshkujt bëhen të rritur herët në verë (Maj deri në Qershor). Adultët hasen shumë shpesh nga Maj në Gusht – në këtë kohë të dyja sekset janë aktive.

Gjatësia e trupit të femrave është 5–9 mm; meshkujt janë pak më të vegjël diku 4–7 mm. trupi i tyre ka ngjyrë të verdhë të zbehtë në kafe dhe cefalotoraksi ka anash banda të zeza të dhëmbëzuara. Në mes të pjesës së sipërme të abdomenit ndodhen katër shenja katrore të zeza, të cilat janë karakteristike për këtë lloj. Këmbët janë laroshe të verdha–kafe. Meshkujt shpesh mund të kenë shenja dalluese shumë të qarta.

Meshkujt shfaqin një sjellje ciftëzuese të pazakontë. Ata zukatin me anë të pedipalpeve dhe ciftit të parë të këmbëve tek streha e femrës, dhe njëkohësisht lëkundin abdomenin e tyre. Kjo krijon një gumëzhimë, dhe për këtë arsye këto gjallesa kanë një emër të zakonshëm në Anglisht “merimangat gumëzhuese”.

Në Europën Qendrore ky lloj nuk është në rrezik zhdukje dhe nuk ka nevojë për mbrojtje ligjore. Masat mbrojtëse natyrale të cilat do të ishin ndihmuese për merimangën e vitit 2015 do të përbënin një ndryshim nga monokulturat halore tek pyjet e përzierë gjetherënës, si edhe duke lënë drurët e vdekur në vend.

Pse është zgjedhur Anyphaena accentuata merimanga e vitit? Nëpërmjet përgjedhjes së kësaj merimange, mund të përfaqësohet një familje e cila nuk është nominuar më parë. Vetë lloji është lehtësisht i identifikueshëm nëpërmjet katër shenjave të zeza karakteristike në abdomen. Kjo e bën më të lehtë konfirmimin rekordeve të vendndodhjes nisur nga fotografitë. Për më tepër, ajo mund të vëzhgohet mjaft shpesh gjatë gjithë vitit, jo vetëm në fshat por edhe brenda shtëpive. Këtu ajo mund të sillet, për shembull, me anë të pemës së Krishtlindjeve. Së fundmi aftësia e saj për të prodhuar zhurmë e bën këtë merimangë shumë të pazakontë…

“Merimanga Europiane e Vitit 2015” është përzgjedhur nga 83 araknologë nga 26 shtete Europiane. Votimi është koordinuar nga Muzeu i Historisë së Naturës së Vjenës, së bashku me Arachnologische Gesellschaft (AraGes) dhe European Society of Arachnology (ESA).

Contact Albania

Dr. Blerina Vrenozi, Qendra Kërkimore e Florës dhe Faunës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Tirana, Albania
bvrenozi(a)gmail.com

Posted in Spider_of_the_Year_2015